Leksion i hapur -Trajtimi i traumave tek fëmijët dhe adoleshentët

Departamenti i Edukimit pranë KU Bedër organizoi një leksion të hapur me Dr. Skerdi Zahaj, lidhur me temën: “Trajtimi i traumave tek fëmijët dhe adoleshentët”.

Në fokus të diskutimit me studentët e psikologjisë së këshillimit ishin teknikat dhe ndërhyrjet psikoterapeutike tek këto grup-mosha.

Dr. Skerdi Zahaj aktualisht është anëtar i Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Psikologut në Shqipëri, si dhe pedagog pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës.

Duke kombinuar aspektin e njohurive teorike dhe fenomenologjike të temës së përjetimit të traumave, Dr. Zahaj prezantoi studentët me teknikat dhe ndërhyrjet psikoterapeutike që ndihmojnë fëmijët dhe adoleshentët që përjetojnë procesin e humbjes dhe zisë.

Gjatë prezantimit të tij, Dr. Zahaj paraqiti fazat e procesit të zisë dhe mënyrën sesi psikoterapia mund të ndihmojë për të menaxhuar dhe kapërcyer simptomat psikologjike dhe vuajtjen e shkaktuar nga trauma e humbjes së personave të afërm. Teknikat dhe ndërhyrjet specifike që u trajtuan gjatë këtij leksioni të hapur lidhen ngushtë me evidencat aktuale të efikasitetit që ka modeli i trajtimit konjitiv dhe bihevioral (i sjelljes), si edhe me përqasjen psikodinamike, e cila përdoret për të adresuar vuajtjet traumatike.

Gjithashtu, studentët praktikuan nëpërmjet ushtrimeve konkrete sesi mund të përdorin disa teknika specifike gjatë terapisë me klientët, duke përfshirë: përdorimin e shkrimit të letrave, ndërtimin e historive, poemat akronime, ritualizimet dhe vizatimet.