Zhvillohet Programi Trajnues për mësuesit e gjuhës angleze

Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Kolegjin Universitar Bedër, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale Tiranë, zhvilluan Programin Trajnues për mësuesit e gjuhës angleze të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të kryeqytetit.

Përgjegjësi i Departamentit, Dr.Isa Erbas, në hapje të trajnimit falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe theksoi rëndësinë që kanë trajnime të tilla për mësuesit, pasi roli i tyre është shumë i rëndësishëm në edukimin e brezave të rinj. “Ky është viti i dytë që departamenti ynë zhvillon trajnime për mësuesit e anglishtes, duke ditur rëndësinë që ka përvetësimi i metodave të reja në fushën e mësimdhënies”, u shpreh ai.

Znj. Fozilet Simoni, specialiste e kurrikulës dhe cilësisë për gjuhët e huaja në DAR Tiranë, gjatë fjalës së saj shprehu rëndësinë që luajnë trajnime të tilla në zhvillimin e mëtejshëm të aftësive profesionale tek mësuesit e gjuhës angleze. Ajo vlerësoi Kolegjin Universitar "Bedër" për organizimin e trajnimeve të tilla për të dytin vit rresht.

Paneli i referuesve përbëhej nga Fozilet Simoni, Prof. Asoc. Dr. Tidita Abdurrahmani, Elsa Lici dhe Dr. William K. Martin, të cilët trajtuan për të pranishmit temat: “Vlerësimi i të nxënit të nxënësve”, “Leximi digjital në mësimdhënie” dhe “Si të jesh një mësues i mirë”.

Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze organizon per të disatën herë aktivitete me natyrë të tillë, si një mundësi e mirë për formimin e vazhdueshëm të mësuesve.