KU Bedër zhvillon ICESS 2018

Fakulteti i Filologjisë dhe Edukimit, Departamenti i Shkencave të Edukimit në Kolegjin Universitar “Bedër”, në bashkëpunim me Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, organizoi për të gjashtin vit radhazi Konferencën Ndërkombëtare në Shkencat e Edukimit dhe në Shkencat Sociale: “Sfidat në Shkencat e Edukimit dhe në Shkencat Sociale për Shekullin e 21-të” .

Në konferencë morën pjesë rreth 40 referues nga 6 vende të ndryshme të botës. ICESS 2018 është një konferencë ndërkombëtare ndërdisiplinore, e cila sjell së bashku studiues, kërkues, lektorë dhe studentë të diplomuar për të shkëmbyer dhe ndarë me njëri-tjetrin eksperiencat dhe gjetjet e punës së tyre kërkimore, si dhe për të diskutuar mbi sfidat aktuale në fushën e shkencave të edukimit dhe të shkencave sociale dhe zgjidhjet e propozuara për tu përballur me këto sfida.

Punimet e konferencës u përshëndetën nga Dekania e Fakultetit të Filologjisë dhe Edukimit, dhe drejtuese e konferencës, Prof. As. Dr. Tidita Abdurrahmani, si dhe nga përgjegjësja e Departamentit të Edukimit në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, znj. Eranda Halluni, të cilat parashtruan disa nga problematikat që aktualisht shoqërojnë shkencat e edukimit dhe shkencat sociale në nivel institucionesh arsimore të arsimit të lartë dhe të arsimit parauniversitar.

Rektori i Kolegjit Universitar “Bedër”, Prof. Dr. Ferdinand Gjana ndau me të pranishmit rëndësinë dhe frytin që ka organizimi i aktiviteteve të tilla në fushën e edukimit dhe të shkencave sociale dhe vuri theksin mbi rëndësinë e edukimit si promotor kryesor në zhvillimin e ekonomisë dhe sigurimin e stabilitetit social. Ai shprehu besimin e tij se konferenca do të dilte me rekomandime të vlefshme për t’iu përcjellë politikbërësve në fushën e edukimit dhe të shërbimit social.

Punimet e kësaj konference i përshëndetën edhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që operojnë në fushën e arsimit në Shqipëri, përkatësisht znj. Blerina Celoaliaj, drejtoreshë programesh në “Save the Children Albania”, dhe znj. Brisida Jahaj, eksperte edukimi në “World Vision Albania”. Tematika të tilla si arsimi cilësor dhe gjithëpërfshirës, edukimi global dhe nevoja për të kontribuar në formimin universitar të mësuesve të ardhshëm, u sollën në qendër të diskutimeve të këtyre përfaqësueseve të shoqërisë civile.

Në fund znj. Jahaj, e ftuar në cilësinë e folëses kryesore parashtroi studimin e World Vision Albania mbi analfabetizmin funksional, duke e shoqëruar me rekomandime për ndërhyrje sistematike për ta pakësuar këtë fenomen.