Studentët e edukimit, vizitë në Kolegjin “Turgut Ozal”

Sot ishte një ditë e veçantë për studentët e Departamentit të Edukimit, të cilët në bashkëpunim me Drejtorinë e Marrëdhënieve me Studentët, zhvilluan një vizitë në Kolegjin “Turgut Ozal”, Tiranë. Studentët e vitit të dytë të programeve Bachelor në Arsim Fillor dhe Parashkollor, si edhe studentët e vitit të dytë dhe të tretë të programit Bachelor në Psikologji Këshillimi dhe Pedagogji, kaluan disa orë vëzhgimi në klasat e ciklit fillor të kolegjit.

Të gjithë studentët treguan mjaft interes për të parë nga afër praktikat mësimore që zhvillojnë mësuesit dhe mënyrën e organizimit të aktiviteteve gjatë procesit të mësimdhënies. Gjithashtu, në fund të vizitës, disa prej mësueseve të Kolegjit “Turgut Ozal” zhvilluan një bisedë të hapur me studentët e Departamentit të Shkencave të Edukimit, për të ndarë me ta disa këshilla të vlefshme të fituara nga eksperienca e tyre e gjatë profesionale.

Studentët njëkohësisht kuptuan edhe rëndësinë që ka bashkëpunimi mes triadës “mësues-nxënës-prind”, e ndërthurur kjo edhe me rolin e psikologut shkollor, për të trajtuar problematika specifike në mbarëvajtjen e procesit të edukimit të nxënësve, sidomos të atyre me nevoja të veçanta dhe aftësi ndryshe.