Në një ceremoni festive të organizuar në Amfiteatrin e Liqenit Artificial, 233 studentët e brezit të 11-të përfunduan me sukses rrugëtimin e tyre akademik duke u diplomuar në 11 programe bachelor & profesionale dhe 8 programe master.
Në emër të institucionit, të diplomuarit i përshëndeti rektori i universitetit, Prof. Gjergj Sinani, i cili i përgëzoi për arritjet dhe i uroi suksese të mëtejshme.
Më tej, studentët i uroi edhe kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili vlerësoi kontributin dinjitoz të KU – Bedër në arsimimin dhe edukimin e brezave.
Kryetari i Bordit të Administrimit në Bedër, Dr. Ali Zaimi i përshëndeti të pranishmit dhe i uroi arritje të vazhdueshme të diplomuarve. Ai falenderoi veçanërisht prindërit dhe familjarët për kontrbutin e tyre të jashtëzakonshëm.
I ftuar nderi ishte Kryetari i Organizatës “Educators Without Borders International”, Dr. Mohamed Alobeidli dhe z. Zayed Almansoori, anëtar i EWBI Alumni Association.
Z. Almansoori mbajti fjalën e rastit dhe ndau shkurtimisht rrugëtimin e tij akademik me studentët tanë, të cilët i nxiti të kontribuojnë profesionalisht në komunitet në të ardhmen.
Ceremonia vazhdoi me shpërndarjen e certifikatave të ekselencës për studentët me mesataren më të lartë në çdo program studimi. Dr. Alobeidli i shpërndau certifikatat ekselentëve të vitit 2024.
Në emër të studentëve të fakultetit të Teknologjisë dhe Biznesit, përshëndeti e diplomuara Ilba Meti. Fjalën përshëndetëse në emër të fakultetit të Shkencave Humane dhe Drejtësisë e mbajti studentja Maylinda Bajrami.
Në emër të studentëve të nivelit Master, përshëndeti e diplomuara Anisa Teta. Në brezin e 11-të, KU – Bedër diplomoi edhe studentë ndërkombëtarë, në emër të së cilëve mbajti fjalën e rastit Anpas Tohir Maulana.
Më tej, studentët e secilit program u ngjitën në skenë për t’u pajisur me certifikata dhe për të shkrepur fotot e rastit me njëri-tjetrin dhe me stafin akademik.
Në përfundim të ceremonisë, të gjithë studentët u ngjitën në skenë për të hedhur kapelet e diplomimit.
I urojmë suksese të mëtejshme të diplomuarve tanë në jetën profesionale dhe veçanërisht brezit të parë të studentëve të programit Informatikë Ekonomike!