“Takim mes Brezash - Ata që dinë të bëjnë fushata”

Departamenti i Shkencave të Komunikimit në bashkëpunim me Zyrën e të Diplomuarve në Kolegjin Universitar Bedër zhvilluan aktivitetin “Takim mes Brezash - Ata që dinë të bëjnë fushata”. 

Në këtë takim të organizuar nëpërmjet platformës “Google Meet” ishin të ftuar studentët e diplomuar në programet master, në profilet Gazetari dhe Marrëdhënie Publike, të cilët janë integruar shumë mirë në tregun e punës, në mediat dhe agjencitë e marketingut më të mëdha në vend, si dhe jashtë vendit tonë, si SHBA, Zvicër, Itali, etj.

Takimi u zhvillua në kuadër të lëndës “Konceptim dhe menaxhim fushatash”, e cila zhvillohet në studimet e nivelit master. Gjatë këtij takimi, të diplomuarit treguan eksperiencat e tyre në këtë lëndë kur ishin studentë. Ata ndanë me njëri-tjetrin emocionet e përjetuara në secilën fushatë të ndërmarrë në kuadër të kësaj lënde, si dhe folën për rëndësinë dhe vlerën e saj kur përballesh me tregun.

Gjatë bisedave ndërmjet tyre, studentët ranë dakord që secila fushatë fillon në kuadër të një lënde dhe më tej shndërrohet në një sfidë e emocion dhe merr përmasa kombëtare.

Përgjatë takimit u diskutuan fushatat:

  • "Libri është i vetmi Kopsht që Mbillet për të Tjerët";
  • “Një fije floku për më shumë buzëqeshje”;
  • “Unë refuzoj të hesht. Bëje dhe ti, voto!”;
  • “Një shtëpi, një mburojë për trashëgiminë kulturore”;
  • “Një libër më shumë për Preshevën”;
  • “Ruaj Traditën, Festo Shqip!”;
  • “Njih tokën tënde, vizito Shqipërinë!”
  • Si dhe për fushatën e këtij viti, e cila po fillon.

Kujtojmë që këto fushata të zhvilluara kanë marrë përmasa kombëtare dhe kanë bërë bashkë personalitetet më të mëdha të kulturës, artit, muzikës, politikës, për të arritur qëllimet e fushatave për evidentimin dhe ruajtjen e vlerave morale dhe kombëtare.